Deklarata e mësipërme tregon se Projekti i MWL-së për Gratë është i përkushtuar dhe po bëhet realitet në jetën e shumë grave. Ky projekt punon me gratë më vulnerabël në zonat më të thella, ku gratë dhe vajzat duan të marrin jetën e tyre nën kontroll. Kur ishin të reja, familjet nuk investonin për to dhe mundësia e vetme që kishin, nuk ishte as arsimi, as formimi profesional, por vetëm martesa. Nuk i kushtohej aspak vëmendje mënyrës se si këto vajza të reja do t’i kapërcenin sfidat e jetës pasi bëheshin nëna. Projekti i MWL-së për Gratë po ndihmon në krijimin e një mjedisi ku gratë ndihen të lira për të marrë vendime në shtëpi, madje edhe vendimin për të punuar. Ky projekt ka misionin t’i ndihmojë këto gra në ndryshimin e rrethanave të tyre nga të pafuqizuara në të fuqizuara, duke iu dhënë mundësinë të kërkojnë të drejtat e tyre nëpërmjet zhvillimit njerëzor dhe lehtësimit të punësimit.

 

 

KAMPI GLOW 2018

Kampi GLOW (Vajzat drejtojnë Botën) është një veprimtari që zhvillohet çdo vit me vajzat e Kallmetit në partneritet të përbashkët me vullnetarët e Korpusit të Paqes. Vajzat nxiten të shkëlqejnë.  Veprimtaritë me vajzat që i përkasin grupmoshës 14-16 vjeç synojnë t’i ndihmojnë të kuptojnë vlerat dhe aftësitë e tyre, t’i zhvillojnë më tej, dhe t’i motivojnë që t’i përdorin sa më mirë për të kapërcyer sfidat e jetës. Kampi përfshin edhe temat për edukimin për kujdesin shëndetësor, mësimin e teknikave për shmangien e stresit të përditshëm dhe menaxhimin e tij. Ato gjithashtu mësojnë se si t’i identifikojnë pasuritë e komunitetit dhe t’i promovojnë për qëllime turistike. Kampi ofron edhe veprimtari argëtuese, si joga, filma edukativë dhe volejboll. Këto veprimtari sigurojnë që vajzat kënaqen dhe argëtohen duke qenë se në jetën e tyre të përditshme nuk i kanë këto shërbime. Ne besojmë se investimi për vajzat është investim për të ardhmen e shoqërisë shqiptare, në vendin e punës, për nënat e suksesshme në shtëpi dhe edukatorët e brezave të ardhshëm.

 

 

Historia e një vajze të re në Hot të Ri.

MWL-ja po mbështet një nga vajzat e grupit të Grave të MWL-së në Hot të Ri, Shkodër, që jeton në kushte të vështira ekonomike. Vajza jeton vetëm që prej vdekjes së prindërve të saj dhe nuk ka asnjë mënyrë për të përballuar jetesën. Nuk ka përfituar asnjëherë ndihmë ekonomike dhe është kujdesur për të ëmën derisa i vdiq.

MWL-ja e mbështeti me terapi psikologjike për tre muaj për shkak të mundimeve psikologjike dhe emocionale që po kalonte. Sot, ajo po përmirësohet psikologjikisht, bën punë verore në hotel si sanitare në plazhin e Velipojës dhe i pëlqen puna që bën. Ajo e falënderon MWL, për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj periudhe. Tani MWL-ja po përpiqet të gjejë një tjetër mundësi punësimi për të që të ketë të ardhura të qëndrueshme.

 

Trajnim për kujdesin shëndetësor në Libofshë.

Një nga shqetësimet më të mëdha në zonat rurale, jo vetëm më Shqipëri por edhe në të gjithë botën, është mungesa e informacionit dhe mbështetjes në sistemin e kujdesit shëndetësor.  Në Maj në Libofshë, mbështetur në misionin e Mary Ward Loreto-së, u zhvillua një trajnim për kujdesin shëndetësor nga MWL Fier, në bashkëpunim me njësinë administrative të Libofshës, me qëllim përmirësimin e informimit të grave për kujdesin shëndetësor. Tema e trajnimit ishte tensioni i lartë, që është një nga problemet shëndetësore kryesore me të cilin përballen banorët e kësaj zone. Trajnimi u kryesua nga Suela Spaho, trajnuesja për shëndetësinë për gratë në Libofshë.

Temat kryesore të trajnimit ishin: të kuptuarit se çfarë është tensioni i lartë, parandalimi, faktorët dhe pasojat e tij, dieta e shëndetshme dhe shërimi i tensionit të lartë. Gratë ndanë problemet dhe përvojat e tyre individuale të shëndetit me njëra-tjetrën, duke treguar interes dhe njohuri për kujdesin shëndetësor. Gjatë trajnimit u ngritën pyetje, që sollën diskutime interesante.

Llogaritja e BMI-së dhe matja e tensionit iu sigurua të gjitha grave pjesëmarrëse. Trajnuesja dhe gratë i kushtuan vëmendje problemeve të tyre shëndetësore dhe mbajtën shënime.