Mungesa e strehimit dhe e mbështetjes alternative për viktimat e dhunës dhe të trafikimit të qenieve njerëzore.

Dhuna ndaj grave, në të gjitha format e saj, sa vjen e rritet dhe ky është një fakt. Për më tepër, rastet e dhunës po fillojnë të bëhen publike në Shqipëri. Megjithëse me ligj gratë kanë të drejta të barabarta, ato vazhdojnë të jenë të ekspozuara dhe të nënshtruara ndaj autoritetit të burrave. Faktorët e shumtë që ndikojnë në cenueshmërinë e grave janë ata socialë dhe ekonomikë. Faktori që ndikon më së shumti është mungesa e strehimit për gratë dhe vajzat e rrezikuara. Kjo ka qenë një nga vështirësitë më të mëdha e hasur gjatë punës me gratë/klientet e Qendrës për Këshillim në Tiranë të MWL për Gratë. Shumica e grave që vijnë në qendër janë të rrezikuara dhe kanë nevojë për akomodim dhe mbrojtje. Strehëzat në Shqipëri i pranojnë viktimat e trafikimit dhe të dhunës në familje vetëm nëse ato kanë statusin e viktimës ose nëse kanë urdhër mbrojtjeje. Kjo e vështirëson referimin e rasteve që nuk e kanë atë status ose kur urdhri i mbrojtjes nuk është i vlefshëm. Përveç këtyre rasteve, strehëzat nuk pranojnë raste të reja, edhe kur gratë kanë urdhër mbrojtjeje, pasi nuk ka më vende strehimi. Ndaj, mbështetja nga strehëzat ofrohet më së shumti pasi gratë janë dhunuar. Rastet vërtetohen shumë kohë më pas përmes gjykatave me anë të një kallëzimi nga dëshmitari, i konfirmuar nga një deklaratë e policisë. Derisa të arrihet kjo, rasti mbetet në nivelin e trajtimit dhe jo parandalimit të dëmit të mëtejshëm.

Gratë dhe vajzat, që mund të jenë viktima të trafikimit dhe të shfrytëzimit, kanë nevojë për mbështetje gjithëpërfshirëse. Gjendja e tyre ekonomike i detyron që të vazhdojnë të jenë të varura nga keqbërësit e tyre. Shumë gra janë ndihmuar nga Qendra për Këshillim në Tiranë e MWL për Gratë. Gratë informohen për rreziqet që iu kanosen dhe këshillohen se si të vetëmbrohen. Për t’i ndihmuar gratë te Qendra ACT, ne, në bashkëpunim me Food Bank në Shqipëri, i kemi referuar tek ofrues shërbimesh, në mënyrë që ato të përfitojnë ndihmë sociale dhe ekonomike, punësim, mbështetje psikologjike, dhe pako ushqimore për urgjenca.

Historia e një gruaje që banon në Tiranë…

Tirana është ëndrra e shumë grave dhe vajzave që vijnë nga qytete të tjera të Shqipërisë. Megjithatë, kur përballen me një realitet ndryshe, ato tronditen. Pavarësisht vështirësive me të cilat përballen, ato nuk pranojnë të kthehen në vendet e tyre dhe përpiqen që të gjejnë mënyra të ndryshme për të mbijetuar në Tiranë.

Ky është rasti i një prej grave të referuar në Qendrën ACT të MWL për Gratë. D-ja është nga një qytet i vogël në veri të Shqipërisë. Ajo u divorcua nga i shoqi, me të cilin ka edhe një vajzë. Edhe pse nuk e përballonte dot jetesën, ajo nuk u kthye në qytetin e saj të vogël, sepse mendonte se do gjykohej nga mentaliteti patriarkal. Ajo jetoi në shtëpinë e ish bashkëshortit për një vit, pastaj i kërkuan që të largohej. Atë e përzunë nga shtëpia e ish bashkëshortit po atë ditë që ajo shkoi te QKT-ja e MWL-së. Ajo ishte e pashpresë dhe e rënduar psikologjikisht sepse askush nuk e mbështeste sepse ishte e divorcuar. Gjatë gjithë jetës së saj ajo kishte punuar vetëm disa muaj sepse ishte marrë me punët e shtëpisë dhe kujdesej për të bijën. Ajo nuk i njihte rrugët e Tiranës dhe shërbimet që ofroheshin. ACT-i e informoi rreth shërbimeve që ofrohen dhe u shoqërua te ofruesit përkatës të shërbimeve, që përfshijnë këshillimin, kërkimin për punë, strehimin dhe urgjencat.