Dita Ndërkombëtare e Grave u festua ndryshe në Tropojë. U organizua një aktivitet nga grupi i përfitimit të grave dhe vajzave. Ndryshe nga gratë e tjera, ato nuk ishin pjesë e protestave për të drejtat e tyre, por ishin pjesë e një aktiviteti që kishte si synim rritjen e vetëvlerësimit , t’i ndërgjegjësonte se sa të bukura janë dhe se sa e lëvdojnë veten. Me mbështetjen e Fondacionit “MWL”, gratë përfituan nga disa shërbime estetike. Disa prej tyre rregulluan flokët për herë të parë në jetën e tyre, ndërsa të tjera kishin shumë kohë që nuk e bënin këtë.

Ata shkuan dy ditë me grupe të vogla te parukeria, ku përveçse përfituan nga shërbimet estetike, kaluan kohë edhe me njëra-tjetrën. Më 8 mars ato u mblodhën për të ngrënë një drekë. Ato u ndjenë të vlerësuara dhe të bukura, kërcyen, kënduan dhe festuan së bashku “ditëlindjen” e tyre. Ushtrimet sociale të organizuara nga MWL-ja i lumturuan dhe i sollën buzëqeshjet në fytyrat e tyre.

Varfëria dhe të qenit grua në një mjedis patriarkal i ka bërë më të mbyllura dhe të izoluara, ndërsa tani janë më të qeta dhe më të qeshura!

Gratë po të jetojnë me dinjitet, Ato mund t’a ndryshojnë botën!

Dita Ndërkombëtare e Grave – 8 Mars, 2018: Aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile nga mbarë Shqipëria marshojnë për te drejtat e vajzave dhe grave:

 

 

Jeta jofunksionale në familje në zonat më të varfra të Shqipërisë

Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, familja shqiptare ka kaluar shumë kriza të mëdha. Këto kriza po ndryshojnë mënyrën se si funksiononte familja tradicionale shqiptare. Familja e zgjeruar ku përfshihen gjyshërit, prindërit dhe nipërit tani i përket së shkuarës. Tani prindi nuk gëzon më autoritet të pakundërshtueshëm. Kalimi i shoqërisë shqiptare nga izolimi 50 vjeçar i komunizmit drejt një shoqërie “të hapur” i ka sjellë më shumë çoroditje familjes shqiptare. Emigracioni ka pasur ndikim të madh te familjet, ku burri më së shumti largohej jashtë vendit në kërkim të punës dhe shumica prej tyre ndahej nga familjet. Ndryshimet e mëdha ekonomike dhe sociale të ndodhura gjatë kësaj periudhe tranzicioni krijuan një model të ri të jetës familjare. Familja dikur konsiderohej si e shenjtë, por tani jo më. Rritja e numrit të divorceve është pasojë e dhunës, gjendjes së keqe ekonomike dhe e bashkëshortëve të varur ndaj lojërave të fatit, alkoolit, duhanit dhe drogës.  Të gjitha këto kanë sjellë probleme të mëdha në familje, probleme që po e shkatërrojnë atë.

Të rinjtë e shohin ndryshe familjen. Ndodh që disa martesa të bëhen vetëm për interesa ekonomike dhe financiare dhe lidhja emocionale nuk është e pranishme, ndaj dhe familja nuk është funksionale. Disa kategori prindërish në zonat e thella, që jetojnë në varfëri dhe me vuajtje duket se kanë hequr dorë, dhe përpjekjet e tyre për ta mbajtur familjen të fortë dhe të bashkuar kanë dështuar.

Prandaj, Fondacioni “Mary Ward Loreto” po punon me gratë, të rinjtë dhe me burrat duke trajtuar nevojat e tyre dhe për t’i dhënë atyre shpresë gjatë kësaj periudhe krize dhe ndryshimi. Vetë shoqëria, traditat e ndryshme të besimit dhe shteti duhet të përkrahin vlerat etike që kanë qenë shumë të forta në shoqërinë shqiptare. Të gjitha palët e interesit duhet t’iu ofrojnë mbështetje familjeve, që janë burimi kryesor i dashurisë. Karakteri ynë dhe marrëdhëniet tona formohen në familje. Të gjithë në shoqëri duhet të kontribuojnë për ta mbajtur familjen të fortë. Familja është pjesa më thelbësore e shoqërisë dhe si e tillë duhet të promovohet për brezat e rinj.  Familja është një njësi e shenjtë dhe hyjnore.

Mbështetje e qëndrueshme për gratë!

Projekti i Mary Ward Loreto për Gratë vazhdon të jetë i përqendruar te zhvillimi i qëndrueshëm i grave në nevojë. Falë një partneriteti me Kryqin e Kuq në Lezhë, është mbështetur një trajnim rrobaqepësie për 20 gra nga Fondacioni “MWL”.  Ky trajnim ka dy objektiva kryesore: a. Formimin profesional të grave për rrobaqepësi, dhe b. Zhvillimin njerëzor në kuadrin e të drejtave të grave. Temat e trajtuara përfshijnë trajnimet për ndërgjegjësimin ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, migrimin e sigurt dhe shëndetin e grave.  Në përfundim të kursit, gratë do të pajisen me certifikata që njihen nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë. Gjatë këtij projekti ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Inspektoratin Vendor të Punësimit, me qëllim përmirësimin e nivelit të njohurive të grave lidhur me hapat që duhen ndjekur për t’u punësuar. Këto gra po përgatiten për tregun e punës.

 

 Projekti i MWL-së për Gratë Fier

“Jeta përmes faqeve të një libri” është tematika e përdorur në takimet e zhvilluara çdo javë në Qendrën e MWL-së në Fier me vajza të reja dhe një mësuese. Gjatë këtyre takimeve, vajzat e reja dhe personat e tjerë që do të diplomohen nga gjimnazi po mbështeten për studimet e tyre. Një mësuese po e ndihmon grupin që të analizojë dhe të diskutojë temat letrare dhe sociale të trajtuara në libra. Për më tepër, ata i zgjedhin vetë librat që do të lexojnë dhe ndajnë mendimet e tyre me njëra-tjetrën. Komentet dhe pyetjet e bëra i kanë bërë këto takime edhe më interesante, madje nganjëherë edhe zbavitëse. Këto vajza të reja kanë mundësi ta ndryshojnë të ardhmen e tyre dhe të tjerëve përmes fuqizimit socio-ekonomik. Ato janë të emocionuara dhe mezi presin të marrin pjesë në këto takime. Gjithashtu, ato janë mirënjohëse për mbështetjen e ofruar gjatë periudhës së provimeve.

 

 Vizita okulistike për gratë te klinika “Optika 1” (Tropojë). 

Puna e Mary Ward Loreto është e përqendruar te forcimi i komuniteteve të cenueshme, me qëllim parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Por, në këto komunitete të largëta malore, shpesh të “harruara” nga shërbimet, nuk ka kush t’i përgjigjet nevojave bazë. Në këto komunitete nevojat janë të shumta dhe të ndryshme. Fondacioni “MWL” iu përgjigj nevojës së grave për vizita okulistike. Ky shërbim është shumë i kufizuar në zonën e Tropojës. Në bashkëpunim me “Optika 1” në Tiranë, 10 grave dhe vajzave iu është ofruar nga një vizitë okulistike falas. MWL për Gratë pajisi me syze optike gratë që kishin probleme me shikimin. Disa gra morën nga një libër, të cilin ua dhuroi njëra prej okulistëve. Falënderojmë stafin e “Optika 1” për disponueshmërinë e tyre dhe kujdesin e treguar, duke i trajtuar të gjithë me dinjitet.

 

 
 
Trajnimi mbi kujdesin paliativ me mjekët në Tropojë.

Në Tropojë, në pjesën veriore të Shqipërisë, shumë përfitues të Fondacionit “MWL” nuk kanë akses në disa prej shërbimeve bazë. Për këtë arsye, një nga nismat e Fondacionit “MWL” është të fuqizojë dhe të mbështesë institucionet shtetërore, që duhet të ofrojnë shërbime komunitare. Kjo nismë shton kapacitetet e stafit statutor. Falë saj, cilësia e kujdesit ofruar përfituesve nga shërbimet komunitare përmirësohet në komunitet. Në bashkëpunim me Fondacionin “Sue Ryder”, Fondacioni “MWL” gjatë kësaj kohe ka nisur seancat e para të trajnimit të kujdesit paliativ me 31 pjesëmarrës nga stafi i kujdesit shëndetësor parësor dhe nga stafi i spitalit të Bajram Currit. Ky trajnim është planifikuar të zhvillohet në 6 seanca, duke i dhënë stafit mjekësor mundësinë të marrë kredite dhe certifikatë në punën e tyre për kujdesin paliativ. Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shton aksesin te nevojat shëndetësore dhe ul cenushmërinë në komunitet.

 

Organizimi gjithëpërfshirës në Shkodër: Po ndërmerret një nismë tjetër…

Në kuadër të nismës për Organizimin gjithëpërfshirës, Fondacioni “Mary Ward Loreto” në Hotin e Ri ka hartuar një peticion për Drejtorinë e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në këtë peticion ne kemi kërkuar që të ndërhyhet për mirëmbajtjen e duhur të sinjalistikës rrugore në rrugën nacionale Shkodër-Hot i Ri-Mes.

Mungesa e sinjalistikës rrugore dhe e ndriçimit në këtë rrugë nacionale po vë në rrezik jetën e banorëve të këtij komuniteti. Kjo është e vërtetë më së shumti për fëmijët, që shkojnë te shkollat që ndodhen në këtë rrugë. Kanë ndodhur shumë aksidente automobilistike në këtë rrugë, ku kanë humbur jetën shumë njerëz dhe të tjerë kanë pësuar dëmtime fizike të parikuperueshme.

Përmes peticionit ia kemi referuar këtë problematikë Drejtorisë së Autoritetit Rrugor me shpresën për të parandaluar aksidente të tjera. Një rezultat i mirë do t’i lejonte banorët të jetonin normalisht, pa frikën se mund t’i vihet jeta në rrezik.

Jemi në pritje të një përgjigjeje pozitive.

Po bëjmë disa fotografi që do të tregojnë gjendjen e rrugës, si për shembull dëmtimet që i janë bërë sinjalistikës dhe dëmtime të tjera. Këto janë provat e nevojshme, që do të paraqesin realitetin e vërtetë.