Motër Imelda Poole u bë Anëtare e Urdhrit të Perandorisë Britanike në nder të shërbimit të saj për t’i dhënë fund skllavërisë moderne.

Më 9 qershor 2018, Mt. Imelda Poole, IBVM u bë Anëtare e Urdhrit të Perandorisë Britanike gjatë nderimeve për ditëlindjen e Mbretëreshës në vitin 2018, për arritjet dhe shërbimin e saj për t’i dhënë fund skllavërisë moderne.

Ajo u nderua në rolin e Presidentes së Besimtarëve në Europë të Bashkuar Kundër Trafikimit dhe Shfrytëzimit (RENATE) dhe Presidentes së Fondacionit “Mary Ward Loreto” (Misioni Shqiptar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore).

Motër Imelda Poole është motër rregulltare nga Britania e Madhe, e cila ka drejtuar rrjetin RENATE për thuajse dhjetë vjet për të luftuar skllavërinë moderne në 28 vende të Evropës. Nën drejtimin e saj të shkëlqyer, organizata ka arritur të bëjë një ndryshim të madh në përmirësimin e mbështetjes së motrave besimtare ndaj viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore dhe në forcimin e bashkëpunimit të urdhrit të besimtarëve me strukturat ligjzbatuese për t’i nxjerrë keqbërësit para drejtësisë. Ajo ia ka shtuar meritat Mbretërisë së Bashkuar dhe ka dhënë një kontribut të madh në arritjen e objektivit të kryeministrit për të çrrënjosur skllavërinë moderne. Ky kontribut i shtohet një jete të kaluar në shërbim të personave më të margjinalizuar të shoqërisë, duke përfshirë Manchester, Glasgow dhe Middlesbrough në Mbretërinë e Bashkuar.

Pasi mori vesh për çmimin e saj, Motër Imelda Poole tha:

“Ky është një nder që e pranoj në emër të Besimtareve dhe kolegëve që kontribuojnë, nëpërmjet misionit të shumë rrjeteve ndërkombëtare si RENATE, në luftimin e skllavërisë moderne dhe në emër të stafit të përkushtuar të Mary Ward Loreto në Shqipëri, që janë shumë të pasionuar ndaj kësaj kauze të përbashkët. Uroj që ky çmim të ekspozojë më tej krimin e tmerrshëm të trafikimit të qenieve njerëzore, që siç e ka shprehur edhe Papa Françesku, është një krim kundër njerëzimit.”

Në shpalljen e çmimit, ambasadori britanik në Selinë e Shenjtë, Sally Axworthy, tha: “Gëzohem jashtë mase që mësoj se Sr. Imelda Poole ka marrë çmimin e nderuar nga Madhëria e saj Mbretëresha.

Sr. Imelda e meriton mirënjohjen për shërbimin e saj të shkëlqyer në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe skllavërisë moderne, nëpërmjet rrjetit evropian të motrave besimtare kundër trafikimit RENATE, që drejton ajo, dhe nëpërmjet Talitha Kum, rrjetit mbarëbotëror të motrave besimtare kundër trafikimit.

Motër Imelda është aleate kyçe në fushatën e Qeverisë së Madhërisë së saj për çrrënjosjen e skllavërisë moderne. Është e mrekullueshme që shoh një mike kaq të shquar të kësaj Ambasade teksa nderohet në këtë mënyrë.”

Mbulimi në media:

https://www.gov.uk/government/news/the-queens-birthday-honours-sister-imelda-poole

https://www.vaticannews.va/en/world/news/2018-06/queen-elizabeth-mbe-poole-modern-slavery.html

http://www.thetablet.co.uk/news/9221/religious-sister-made-mbe-for-her-work-to-end-modern-slavery

https://www.mirror.co.uk/news/uk-news/inspiring-people-queens-birthday-honours-12669273