Imelda Poole (IBVM), Presidente e MWL

Falë përgjegjëses të sapoemëruar për zhvillimin dhe ngritjen e fondeve, ne paraqitëm raportin për gjashtë muajt e fundit (www.albaniahope.com). Ky raport përmban të dhëna dhe informacione për punën e mrekullueshme të stafit të MWL, që punojnë pa reshtur në çdo aspekt të misionit, kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri, një sëmundje e përhapur në botën tonë sot, e cila skllavëron miliona njerëz.

Cilat janë problemet e hasura gjatë kësaj periudhe të shkurtër? Cilat janë pikat kryesore të përparimit në punën e MWL-së për parandalimin, ndërgjegjësimin, veprimin e drejtpërdrejtë, advokacinë dhe fushatat kundër trafikimit të qenieve njerëzore?

Ne përballemi me probleme si: infrastruktura e dobët në rajone vulnerabël, mungesa e burimeve njerëzore dhe monetare, mungesa e shërbimeve të ofruara, reagimi i ngadaltë nga ana e qeverisjes vendore dhe kombëtare për të krijuar partneritete për përparimin e punës, veçanërisht të punës për ndryshimin sistematik. Të gjithë këta faktorë i bëjnë njerëzit skllevër të varfërisë, të pafuqishëm dhe të pashpresë. Megjithatë, pavarësisht këtyre problemeve, puna jonë po jep frytet e saj, veçanërisht për çlirimin e personave që kanë rënë në kurthin e varfërisë dhe pafuqisë.

Mijëra shqiptarë, gra, të rinj e të reja janë përfitues nga misioni i parandalimit të trafikimit të qenieve njerëzore dhe fuqizimit ekonomik.  Shumë të tjerë po i kapërcejnë dalëngadalë përvojat e dhimbshme dhe traumatizuese të shfrytëzimit dhe abuzimit nëpërmjet terapisë, kujdesit social dhe shoqërimit të vazhdueshëm.  MWL-ja është mirënjohëse për partneritetet e shumta që ka krijuar, për mbështetjen e përfituar nga sistemet shtetërore dhe joshtetërore, si dhe për donatorët, anëtarët e bordit dhe miqtë e afërt. Ne jemi gjithnjë në nevojë, por kurrë nuk na mungon mbështetja.