Ajo është mamaja e dy adoleshentëve dhe e një vajze të martuar. Falë shumë tipareve të saj të forta, si për shembull: guximi për t’i bërë ballë paragjykimeve të komunitetit ku ajo jeton dhe të familjes së saj, problemeve ekonomike, sfidave të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare në aksesin ndaj shërbimeve të nevojshme, ajo e denoncoi bashkëshortin e dhunshëm dhe vendosi të divorcohej. Ajo i tha “JO” dhunës dhe abuzimit në familje. Bashkëshorti i saj u burgos për dhunën në familje, por u lirua nga burgu vetëm pak ditë më vonë.

Fondacioni “MWL” e referoi çështjen e saj te Shërbimet Sociale në Bashkinë e Fierit dhe në bashkëpunim me institucione qeveritare dhe joqeveritare, jeta e kësaj gruaje të guximshme dhe e djemve të saj mori një drejtim tjetër. Ajo vendosi se ishte më mirë të jetonte larg, sesa të jetonte çdo minutë të ditës me frikën se mund të vdiste. Tani ajo ka zgjedhur të jetojë në një strehë. Ajo ndihet e sigurt dhe pa ankth e panik.

Fondacioni “MWL” e ka ndjekur rastin e saj përmes këshillimeve, duke i dhënë informacionet e nevojshme dhe duke e bërë pjesë të një kursi rrobaqepësie pa pagesë.