Fondacioni “Mary Ward Loreto” ka nisur një bashkëpunim të ri me organizatën “Sole”, që ka një projekt në burgun e grave, IEVP nr. 325 Ali Demi, Tiranë. Projekti i “Sole” ka si qëllim rintegrimin e grave të burgosura në komunitet. Kjo arrihet përmes zhvillimit të aftësive të punësimit dhe përmes programeve të zhvillimit të njeriut. Fondacioni “MWL” u ftua për të dhënë kontributin e tij dhe për t’ia përcjellë ekspertizën grave të burgosura. Psikologia e QKT-së së MWL për Gratë organizon trajnime dhe grupe të mbështetjes një herë në javë. Nisjen e kanë pasur me vetëm 10 gra. Synimi kryesor i këtyre takimeve është rehabilitimi i grave, në mënyrë që të kenë një rintegrim sa më të suksesshëm në shoqëri pas daljes së tyre nga burgu, dhe që ata të mund të kenë një jetë më kuptimplotë dhe më të përshtatshme.

Burgjet në Shqipëri e konsiderojnë dënimin si një mënyrë për të shlyer krimet e kryera, dhe jo si një mënyrë për të arsimuar dhe përmirësuar të burgosurit. Këto gra janë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, që kanë kultura, problematika shoqërore dhe qasje të ndryshme për sa i përket përballimit të jetës dhe problemeve. Ata janë përballuar me problematika të ndryshme të jashtme dhe të brendshme, që kanë çuar në veprimtarinë e tyre penale. Ato kanë mekanizma të dobëta përballimi, dhe prandaj nuk kanë ndërveprim mes tyre. Brenda një periudhe kohore dy mujore, takimet kanë qenë të përqendruara në të kuptuarit e grupeve vetëndihmëse, dinamikës pozitive në grup dhe të ndjenjës së përkatësisë në grup. Këto seanca iu ofrojnë anëtarëve një mjedis të sigurt dhe jogjykues ku ata mund të flasin për veten, dhe ku mund të mësojnë të njohin veten dhe të ndajnë historitë, ndjenjat dhe problemet e tyre me të tjerët. Ata po bëhen pjesë e një procesi rikuperimi dhe duhet të përmirësojnë mbështetjen reciproke për njëra-tjetrën.