Anëtarësia e të Nxënit, Praktikës dhe e Ndikimit të Integritetit”, një projekt i MWL për të rinjtë në Lezhë.

Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit PACT (Së Bashku Partnerë Kundër Korrupsionit) të drejtuar nga ANTTARC (Qendra  Kombëtare Burimore e Trajnimit dhe Asistencës Teknike) dhe menaxhuar nga Mary Ward Loreto në kuadër të projektit të MWL për të Rinjtë.

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është të trajnojë të rinjtë që të përfaqësojnë komunitetet e tyre brenda strukturave të institucionit të Bashkisë së Lezhës. Qëllimi kryesor është transformimi i kësaj njësie në një mekanizëm të besueshëm dhe të efektshëm për zgjidhjen e problemeve dhe për praktika të mira. Kështu shpresojmë që të reduktohen veprimet joligjore dhe të papërshtatshme në qeverisjen vendore.

Projekti ka arritur në fazën e zbatimit afatmesëm në komunitetet në Lezhë. Gjatë këtyre pesë muajve, rinia pjesëmarrëse në projekt është prezantuar me mjedisin institucional të Lezhës dhe ata janë bërë një pjesë integrale e punës së përditshme të Bashkisë dhe institucioneve të saj vartëse. Për më tepër, projekti ka krijuar një grup të rinjsh që ka nisur udhëtimin e anëtarësisë në bashki dhe tani grupi e ka dokumentuar ecurinë e tij dhe shtimin e njohurive. Kjo përvojë po e pasuron dhe po kontribuon në një marrëdhënie më cilësore ndërmjet shoqërisë civile si përfaqësues të komunitetit dhe qeverisjes vendore, si politikëbërësi kryesor në qark.

Gjashtëmbëdhjetë të rinj janë rekrutuar nga projekti për t’iu bashkuar përvojës së Anëtarësisë. Duke i paraprirë kësaj, MWL ka diskutuar dhe negociuar me bashkinë për rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në këtë projekt. Sjellja e bashkisë ka qenë pranuese dhe shumë optimiste dhe liderët e projektit të MWL kanë rënë dakord se bashkia ka qenë partnere shumë e mirë, që ka kuptuar rëndësinë simbolike të këtij projekti. Të rinjtë janë ndjerë të mirëpritur dhe e kanë shprehur këtë gjatë mbledhjeve të vazhdueshme të liderëve të rinj të MWL. Ata kanë pasur mundësi të shtojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre, përfshirë shërbimet e ofruara atyre brenda bashkisë. Këtu përfshihen privilegjet që qeverisja vendore iu ofron të rinjve, duke e klasifikuar këtë si një nga prioritetet strategjike të bashkisë. Tani ata kanë më shumë lidhje, më shumë informacion dhe akses, që sjell cilësi të përmirësuar të pjesëmarrjes të të rinjve në jetën publike dhe gjithashtu përfshin mundësitë për t’u angazhuar më shumë në nivel vendor përsa i përket transformimit dhe ndryshimit dhe kanë më shumë mundësi për punësim të ardhshëm.

 

Mary Ward Loreto (MWL) për të rinjtë në Rrëshen: Përgjigje ndaj një thirrjeje!

Ky është viti i parë që MWL-ja po bashkëpunon me programin e fokus grupit të të rinjve në Rrëshen. Kjo ndërhyrje në këtë zonë shumë të varfër, është përgjigje ndaj një ftese të vazhdueshme nga bashkëpunëtorët tanë, që punojnë me dhe për rininë. 17 të rinj tani janë pjesë e programit. Ata janë zgjedhur dhe janë regjistruar në kurset profesionale të zgjedhjes së tyre.

Puna është nisur dhe zhvilluar në bashkëpunim me shumë përfaqësues të Kishës Rogacioniste, sidomos me motrat nga Rrësheni dhe Rubiku, priftin e famullisë së Rrëshenit dhe me Qendrën e Formimit Profesional “Shën Jozefi” në Rrëshen.

Fondacioni “MWL” ka një marrëveshje me Qendrën e Formimit Profesional “Shën Jozefi” në Rrëshen dhe 12 nga të rinjtë tanë po kryejnë formimin e tyre profesional në këtë shkollë. Shkolla i ka hapur kurset në përputhje me nevojat tona, pasi është shkollë e mesme profesionale dhe deri më tani nuk ka mundur t’i hapte kurset e formimit profesional pasi kjo ishte shumë e kushtueshme. Të rinjtë nuk i përballonin dot shpenzimet për këto kurse. Përmes financimit të projektit ne arritëm të mbulonim shpenzimet për përdorimin e laboratorëve dhe pagat e instruktorëve. Gjithashtu, përmes kësaj marrëveshjeje kemi bërë të mundur që 20 të rinj të tjerë, jo anëtarë të fokus grupit, të ndjekin formimin profesional në qendër pa pagesë.

Pesë të rinj të tjerë janë regjistruar në Tiranë sepse formimi profesional që ata donin të ndiqnin nuk ofrohej në Rrëshen. Ata do ta fillojnë kursin më 15 mars në një nga qendrat statutore të formimit profesional në Tiranë.

Synimi ynë është që t’i frymëzojmë këta të rinj përmes veprimtarive të zhvillimit dhe fuqizimit ekonomik. Shpresojmë që ata të jenë gati t’i përgjigjen një thirrjeje tjetër: të kontribuojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e qytetit të tyre.

 

 

Zbavitja e fëmijëve në situatë rruge – Një nismë sociale e udhëhequr nga Grupi i Lidershipit.

Më 16 shkurt, shtatë të rinj nga Lagje Mirdita, të cilët po trajnohen si liderë të rinj, organizuan veprimtari zbavitëse për rreth 30 fëmijë. Këta fëmijë në situatë rruge shkojnë te qendra “Engjëjt e Vegjël”, që është një qendër komunitare e drejtuar nga organizata jofitimprurëse “SHKEJ”. Trajnimi i liderëve koordinohet nga stafi i Fondacionit “MWL”, përkatësisht Artemisa Aliaj dhe Zana Guri. Kjo ishte një pasdite e mrekullueshme për të gjithë liderët e rinj. Ata ia kaluan shumë mirë dhe shkëmbyen përvojat e tyre. Gjatë javës, të rinjtë e Lagjes Mirdita u angazhuan në mbledhjen e veshjeve për fëmijët e komunitetit të tyre. Këto veshje iu dërguan OJF-së “Engjëjt e Vegjël” për fëmijët. Takimet plot energji ishin vërtetë zbavitëse. Të gjitha ushtrimet u pëlqyen nga të rinjtë e Lagjes Mirdita. Çfarë kënaqësie të ndodheshe mes tyre!

 

Studentët e psikologjisë dalin vullnetarë me të rinjtë e Lagjes Mirdita.

Këtë vit, Programi i Lidershipit, i hartuar nga Projekti i “MWL-së” për të Rinjtë nisi me një risi. Dy studentë të psikologjisë dolën vullnetarë për mbështetjen individuale psikologjike të të rinjve. Në këtë periudhë të jetës së tyre, të rinjtë përjetojnë një sërë ndjenjash të ndërlikuara, që ndikojnë tek ata si individë dhe te të tjerët që i rrethojnë.  Këta studentë vullnetarë të psikologjisë janë përpjekur t’i ndihmojnë të rinjtë që t’i identifikojnë dhe t’i bëjnë ballë emocioneve të tyre. Ata kanë zhvilluar mbledhje individuale me disa nga të rinjtë. Vështirësia kryesore që kanë këta të rinj është të pranojnë se kanë nevojë për këshillim. Fillimisht, prania e vullnetarëve iu duk atyre e dyshimtë dhe e paqartë. Pritshmëritë e vullnetarëve u përballën me disa vështirësi, por me kohë këto pritshmëri u përshtaten me historikun e të rinjve. Janë ndryshuar strategjitë dhe tani një nga tre psikologët vullnetarë po i ofron grupit mundësinë që të punojnë me zhvillimin e kapaciteteve të tyre njerëzore brenda kontekstit të punës në grup.

Falë këtyre takimeve ata janë njohur me njëri-tjetrin. Puna është dinamike. Të gjithë kanë ëndrra dhe aspirata të mëdha që të bëhen të dobishëm si për veten ashtu edhe për familjet e tyre, me të cilët janë shumë të lidhur. Megjithatë, mjedisi në të cilin ata jetojnë, përkatësisht Lagja Mirdita, nuk iu ofron atyre kushtet e nevojshme për realizimin e ëndrrave të tyre. Këta të rinj mendojnë se mënyra më e mirë për të realizuar dëshirat dhe ëndrrat e tyre është që të largohen nga komuniteti i tyre. Kjo është diçka shumë e trishtueshme pasi jeta e tyre në komunitet është e lumtur dhe sepse i përkasin atij vendi.